Home Bujqësi Sivjet do të kultivohen 25 tonë shparg

Sivjet do të kultivohen 25 tonë shparg

SHARE
????????????????????????????????????

Shpargu (asparagusi) është një produkt bujqësor, i cili kohëve të fundit po kultivohet edhe në Kosovë. Ky produkt që përdoret shumë në kuzhinë, vlerësohet edhe mjaft i shëndetshëm.

Kultivimi i shpargut në Kosovë ka nisur falë një partneriteti mes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) dhe USAID-it në Kosovë. Të dyja këto institucione në bashkëpunim edhe me Ambasadën amerikane në Prishtinë, kanë promovuar këtë produkt në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie .

Me këtë rast ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, falënderoi USAID-in dhe Ambasadorin Delawie, dhe theksoi se shpargu është një nga kulturat që sjell përfitime të mëdha.

“Shohim se shumë prej kultivuesve arrijnë të marrin 4 000 kg rendiment për një hektar dhe shumë prej kultivuesve arrijnë që të shesin në një mesatare të kilogramit në sezon prej rreth 3 euro, që me të vërtetë janë përfitime jashtëzakonisht të mira, sidomos kur krahasohen me disa kultura tjera tradicionale me të cilat merren fermerët tanë”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa, Ambasadori ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, theksoi se shpargu është mbjell disa vite më parë në Kosovë, dhe gjatë sezonit të parë kultivuesit vendorë kanë shitur më shumë se 2 tonë.

“Që nga atëherë rritja ka qenë me të vërtetë e stërmadhe, kurse këtë vit presim që të kemi një shitje më shumë se 25 tonë të shpargut vetëm në tregun vendor dhe fitimi i kultivuesve do të jetë rreth 80 mijë euro”, tha ai.

“Hapi i ardhshëm i rëndësishëm është që të bëhemi gati për eksport në tregun evropian, fakti që kultivuesit kosovar mund ta vjelin këtë të mbjellë dy javë më herët se sa kultivuesit në Evropën veriore, ju jep një përparësi  të madhe në tregun ndërkombëtar”, tha ai.

SHARE