Home Biznes & Financa Si të dalloheni nga konkurrenca në tregun e punës?

Si të dalloheni nga konkurrenca në tregun e punës?

SHARE

Sot nuk mjafton vetëm edukimi në Universitet që të përzgjidheni në listë të ngushtë kur aplikoni për ndonjë punë. Përderisa faktorë si karakteri apo aftësitë e tjera luajnë rol në përzgjedhjen e kandidatit të duhur për një vend pune, shpesh herë janë aftësitë apo kualifikimet konkrete të fushës ato që përcaktojnë se kush do të marr vendin e punës.

Përqendrohuni në një fushë të caktuar dhe bëhuni ekspert i asaj fushe

Shumë njerëz e kanë problem të identifikojnë se në çfarë fushe duan të zhvillojnë karrierën e tyre. Megjithatë, mënyra më e mirë për të zbuluar këtë është duke e provuar veten në fusha të ndryshme. Nëse e keni gjetur veten në ndonjë fushë të caktuar (p.sh. marketingu), punoni sa më shumë që të zhvilloni dije në atë fushë. Sot kemi burime të shumta të dijes për cilëndo fushë duke filluar nga librat, mësimi në Universitet, kurset online, revistat, portalet, uebfaqet, forumet, etj. Ndërtimi i dijes në atë fushë ndërton edhe vetëbesim tek ju dhe ajo vërehet nga punëdhënësit kur flisni për atë fushë.

Synoni të keni sa më shumë certifikime në atë fushë

Diploma e studimeve bachelor (nganjëherë edhe ajo e studimeve master) nuk ju jep më shumë se një përgatitje të përgjithshme. Për shembull, Fakulteti Ekonomik mund t’ju japë njohuri bazike në shumë fusha të ekonomisë, por nuk thellohet në asnjë prej tyre. Rrjedhimisht, nuk mund të thoni me vetëbesim se mund të jeni një menaxher i mirëfilltë vetëm pse keni përfunduar fakultetin ekonomik.

Synoni të ndiqni sa më shumë trajnime të fushës tuaj specifike (p.sh. trajnime në marketing digjital) përmes të cilave mund të certifikoheni dhe të dalloheni nga kandidatët konkurrent. Këto trajnime kanë qasje praktike dhe ju përgatisin me dije më të përafërt për tregun e punës dhe kjo sigurisht se merret parasysh nga punëdhënësit. Për më tepër, jeni një hap para kandidatëve tjerë aplikues që nuk kanë këto certifikime dhe ky mund të jetë faktor përcaktues.

Kërkoni punë praktike nga një kompani që është mjaft aktive në fushën tuaj
Hulumtoni se cilat janë kompanitë më kompetente dhe më aktive në fushën tuaj dhe mos hezitoni t’ju drejtoheni atyre me një letër/email duke kërkuar punë. Rrallë ndodhë që një punëdhënës të ketë përshtypje negative për një punëkërkues që ju drejtohet direkt, pa pasur ndonjë konkurs të hapur.

Shumë të rinj ankohen se punëdhënësit kërkojnë kandidatë me disa vite përvojë pune, e që ua pamundëson të rinjëve në tregun e punës të kualifikohen për ato vende pune. Por, shumë prej tyre e nënvlerësojnë punën praktike. Puna praktika është një mundësi e shkëlqyer për të fituar përvojë reale në fushën tuaj dhe për të lënë përshtypje të mira tek punëdhënësi. Nëse jeni profesionist në atë që e bëni, në fund të punës praktike me shumë gjasë do të merrni një vend pune. Përndryshe, do të keni fituar një përvojë mjaft të çmuar në fushën të cilën jeni përqendruar.

Me dije dhe përvojë të mjaftueshme në fushën tuaj, mund të keni fituar njohuritë e duhura për këtë treg dhe të shkëlqeni mbi konkurrencë kur aplikoni për ndonjë vend pune; e pse të mos provoni edhe të filloni biznesit tuaj në këtë fushë? (Entrepreneur)

SHARE