Home Industri & Energjetikë Shqiptarët, populli më punëtor në Evropë

Shqiptarët, populli më punëtor në Evropë

SHARE

Shqiptarët punojnë rreth 2 230 orë në një vit, më shumë se të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe shumë më lartë se mesatarja e orëve të vendeve të OECD-së.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka publikuar statistikat e reja mbi Tregun e Punës në 12 qershor, në të cilën ka përllogaritur orët në punë sipas shteteve. Mesatarja e orëve vjetore të punës të vendeve të OECD-së është 1 765 orë.

Numrin më të ulët të orëve të punës në vit e ka Gjermania. Gjermanët punojnë vetëm 1 371 orë dhe ndiqen nga holandezët, të cilët punojnë 1 419. Më pak orë punojnë dhe norvegjezët me 1 424, francezët 1 482 orë, zviceranët 1 590 orë. Por këto janë dhe shtetet me produktivitetin më të lartë në BE, pasi vijojnë të kenë të ardhura më lart mesatares së Bashkimit Evropian.

Në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, shqiptarët punojnë rreth 2 230 orë në vit. Pas shqiptarëve, populli “më punëtor” në Evropë duket se janë grekët, të cilat sipas të dhënave të përpunuara nga OECD punojnë rreth 2 042 orë në vit. Në botë, shqiptarët rezultojnë të punojnë me kohëzgjatje të ngjashme me meksikanët, koreanët, kostarikanët.

Të dhënat e mëparshme nga Komisioni Evropian kanë treguar se edhe shtetet e tjera të Ballkanit punojnë me orë të zgjatura, ndërsa rekordin në Evropë e mban Turqia, me gati 2 500 orë në vit.

Në Shqipëri është shumë më e lartë dhe përqindja e punonjësve që punojnë më shumë se 40 orë pune, që teorikisht është dhe kohëzgjatja mesatare e parashikuar në Kodin e Punës.

Sipas raportit të INSTAT mbi Tregun e Punës 2016, 47.8% e punonjësve punojnë nga 40-48 orë dhe 17.9% e kanë ditën e punës më të gjatë se 49 orë.

Për mesataren e Bashkimit Evropian, kjo përqindje është shumë më e ulët. Të dhënat e Komisionit Evropian tregojnë se përqindja e meshkujve evropianë, që punojnë më shumë se 40 orë është 31% dhe ajo e femrave shumë më e ulët, vetëm 15%

SHARE