Home Bujqësi Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit dërgohet në Kryesi

Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit dërgohet në Kryesi

SHARE

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka mbajtur mbledhje, në të cilën në rend dite ishin shqyrtimi i Projektligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja dhe ndryshim-plotësimi i Ligjit për Rregullimin e shërbimeve të Ujit ku që të dyja këto projektligje u votuan nga komisioni dhe u dërguan në kryesi.

Sali Salihu tha se në mbledhjen e fundit u formua grupin punues për Projektligjin për Mbrojtjen e Ambientit dhe një ligj nëse i plotëson 3 kushte duhet të votohet nga komisioni dhe të dërgohet për lexim, raporton Ekonomia Online.

“Ne si grup punues nuk kemi bërë keq që e formuam grupin punues dhe u takuam menjëherë ditën e premte dhe shikuam nëse i plotëson projektligji të gjitha kriteret dhe ky projektligj i plotëson kushtet për votim dhe të dërgohet në kryesi dhe mendoj se duhet të votohet ky projektligj”, tha Salihu.

“Janë shumë mirë të shpjeguara dhe Bashkimi Evropian ka ndryshuar shumë gjëra për mbrojtjen e ambientit dhe legjislacioni ynë ka mbetur shumë prapa”, tha ai.

Zëvendëskryetarja e këtij komisioni, Besa Gaxherri, tha se edhe pse për të janë tejet të rëndësishme këto projektligje dhe të përgatitura mjaft mirë, por ajo i qëndron besnike qëndrimit të subjektit të saj dhe tha se nuk do të votojë asgjë.

“Me keqardhje them se ne si subjekt politik jemi në bojkot dhe nuk do të votojmë asgjë, edhe pse ligji në fjalë është i domosdoshëm”, tha Gaxherri.

Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, tha se e respekton vendimin e Gaxherrit për të mos marrë pjesë fare në votim.

“E konsideroj qëndrimin e juaj për të mos dhënë votën as pro dhe as kundër”, tha ai.

Anëtarja Ganimete Musliu për Projektligjin për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, tha se duhet përkrahur ky projektligj dhe propozoi që të formohet grupi punues me krye Besa Gaxherrin.

“Unë mendoj se ne duhet ta përkrahim në parim dhe për sot edhe për këtë projektligj të propozojmë grupin punues dhe e propozoj Besa Gaxherri”, tha ajo.

Anëtari Danush Ademi tha se nuk është dakord me disa pika të këtij projektligjit ku, sipas tij, objektet fetare duhet të paguajnë shpenzimet e ujit. Ademi tha se objektet fetare nuk është nevoja të paguajnë këtë shpenzim, raporton EO.

Besa Gaxherri tha se objektet fetare janë objekte përcjellëse dhe si e tillë duhet ta paguajnë shpenzimin e ujit pasi që, sipas saj, këto objekte nuk kanë kujdes në shfrytëzimin e ujit dhe duhet më tepër të kursehet uji.

“Të gjitha objektet përcjellëse që shfrytëzohen për biznes apo fetare duhet të paguajnë ujin dhe kanë për ta paguar”, tha ajo.

Në fund të komisionit, anëtarja Ganimete Musliu propozoi që kërkesa e saj për vizitën në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” të realizohet.

“ Si pasojë e kësaj u dakorduam të gjithë anëtarët që kjo vizitë të realizohet qysh në fillim të javës së ardhshme dhe u aranzhua për ditën e hënë, në ora 11 do të realizohet vizita në këtë kompleks nga grupi punes i këtij komisioni”.

SHARE