Home KRYESORET Mustafa: Kodi +383 është më praktik për shtetin e Kosovës

Mustafa: Kodi +383 është më praktik për shtetin e Kosovës

SHARE

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, në një ligjëratë para studentëve të kolegjit “ISPE” ku ka folur për Telekomin e Kosovës.

Ai ka siguruar që kodi telefonik +383 që i është ndarë Kosovës është më praktik për vendin dhe se nuk është kod i Serbisë, por kod shtetëror i Kosovës.

“Kodit telefonik +383 është identifikuesi më i lehtë dhe më praktik për shtetësinë e Kosovës. Sot kodi +383 është në funksion, nuk është ashtu siç duhet. Kemi dhënë premtimin që kodin +381 do ta largojmë. Ky kod është mjet identifikues që na ka munguar që nga paslufta. Çdo kod telefonik është edhe kod gjeografik edhe kod shtetëror”, ka shtuar Mustafa.

“Shumë njerëz kanë thënë se ky kod iu ka dhënë Serbisë e jo Kosovës, por ky kod është shtetëror dhe iu ka dhënë Kosovës e jo Serbisë”, ka theksuar ai.

Duke folur për Telekomin e Kosovës ai ka thënë se “Vala” ka arritur pikat më të larta të suksesit duke shtuar mbi 200 mijë konsumatorë të rinj dhe duke mbajtur primatin e liderit sa i përket numrit të klientëve të saj, i cili arrin në 1.2 milion.

“Sipas të hyrave jemi lider në treg e po ashtu edhe me numër të konsumatorëve”, ka shtuar ai.

Prej arritjeve të mëdha të kompanisë u përmend edhe ndryshimi i imazhit të kompanisë Vala, e cila sipas tij, ka arritur që të ndryshohet përgjatë këtyre dy viteve sa ai është në detyrën e drejtorit.

Ndryshimi i imazhit sipas tij ka bërë që Vala të kthehet nga diçka që ka qenë e vjetër në diçka pozitive dhe atraktive për klientët e saj.

Sipas tij, problemet që janë sot në Telekomin e Kosovës janë probleme të vitit 2009.

Duke folur për fillimin e punës së tij në telekom ka thënë se struktura e PTK-së nuk ka qenë ashtu siç duhet.

“Kemi arrit që tash të jemi tetë departamente kryesore”, ka shtuar ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, ka thënë që sektori publik është shumë më pak atraktiv se sa sektori privat. Ai ka thënë se ka qenë ithtar i privatizimit të Postës në vitin 2013.

Mustafa iu është drejtuar studentëve duke u thënë “tentoni të krijoni miq dhe network të suksesshëm. Sa më të fuqishëm që jeni me ‘networkun’ e juaj edhe ju do të jeni të fuqishëm”.

Në këtë ligjëratë gjithashtu u përmendën edhe sfidat aktuale si rezultat i teknologjisë bashkëkohore, më konkretisht të aplikacioneve të tilla mobile si Viber, WhatsApp, të cilët sipas Drejtorit Mustafa mbesin një sfidë sa i përket gjenerimit të hyrave për kompaninë Vala.

Në këtë rast u përmend edhe përdorimi masiv i aplikacionit mobil Viber, i cili përdoret në një masë enorme nga qytetarët e Kosovës.

Bashkëbisedimi që Drejtori Mustafa bëri me studentët e Kolegjit ISPE nxorri në pah humbjet e përllogaritura nga Viber të cilat janë afër 60 milion euro në vit.

SHARE