Home Botë & Rajon Kryebashkiaku i New Yorkut propozon taksë për të pasurit

Kryebashkiaku i New Yorkut propozon taksë për të pasurit

SHARE

Kreu i Bashkisë së New Yorkut, Bill de Blasio propozoi vendosjen e një takse prej 1% njerëzve më të pasur të qytetit, me qëllim riparimin e metrosë.

Ndërsa prezantonte planet e tij, de Blasio i cilësoi ato si afatgjata dhe me një ndikim fare të vogël te shtresa e pasur.

” Do të jetë një rritje modeste në të ardhurat nga taksat e shtetit për persona që zotërojnë pasuri prej gjysmë milioni dollarësh ose më shumë. Ky individ do të paguajë 2700 dollarë më shumë në takstat vjetore. Çfarë do të thotë kjo? Janë vetëm 7 dollarë në ditë. Është një shumë e barabartë me pagesën e gjysmë ore parking në garazhet e Manhatanit”, tha de Blasio.

Taksa e re pritet të rritë të ardhurat nga 3.9% në 4.4% dhe parashikohet për çiftet e martuara me të ardhura mbi 1 milion dollarë dhe individët me të ardhura mbi gjysmë milion dollarë.

Parashikohet që ky plan të prekë 32 mijë taksapagues të Nju Jorkut, ose më pak se 1% e numrit të përgjithshëm të tyre. Plani i kryebashkiakut pritet të sigurojë në vit rreth 800 milion dollarë, që do të shërbejnë për përmirësimin e metrosë së qytetit dhe shërbimit urban.

Propozimi erdhi pasi kryebashkiaku Bill de Blasio dhe guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo kundërshtuan përgjegjësinë për riparimin e metrosë së qytetit.

Cuomo propozoi ndarjen e kostos me bashkinë për të financuar një plan emergjent për riparimin e sistemit të vjetëruar të metrosë së Nju Jorkut, por kjo u refuzua nga De Blasio. Propozimi i ri për taksat duhet të miratohet nga avokatët shtetërorë.

SHARE