Home Biznes & Financa Kosova me ngarkesë të ulët të borxhit publik

Kosova me ngarkesë të ulët të borxhit publik

SHARE

Instituti Riinvest ka organizuar sesionin e parë “Debati në Riinvest” ku u diskutua për menaxhimin e borxhit publik në Kosovë.

Në kuadër të prezantimit të raportit të borxhit publik në Kosovë të përgatitur nga Muhamet Mustafa, u tha se qëllimi është të prezantohen ecuritë e borxhit publik të Republikës së Kosovës dhe çështjet aktuale të menaxhimit të tij.

Sipas këtij raporti thuhet se Kosova ka krijuar një kornizë bazike ligjore lidhur me borxhin publik si dhe strategjinë më afatgjatë të menaxhimit të borxhit publik ku vlerësohet se Kosova ka një ngarkesë të ulët të borxhit publik.

Këshilltari në Institutin Riinvest, Muhamet Mustafa, tha se edhe pse Kosova ka mbi 1 miliard euro borxhe ky nuk është një ngarkim aq i madh.

“Të gjitha ekonomitë në botë kanë borxhe dhe kanë nevojë të marrin borxhe madje borxhet po rriten. Tek ekonomitë e zhvilluara borxhi publik është rritë nga 70% në 110%. Disa në borxhe hynë në probleme të mëdha ndërsa disa i tejkalojnë ato. Qëllimi i këtij raporti është të shohim cilat janë ecuritë aktuale me borxhin publik në Kosovë. Kosova është mirë që e ka krijuar një kornizë bazike për menaxhimin e borxhit. Sot Kosova ka mbi 1 miliard euro borxhe. Ky nuk është një ngarkim i madh. Por nëse e shohim dinamikën se si janë rritë këto borxhe atëherë ka probleme na perspektivë. Problemi është si menaxhohet risku i borxhit. Duhet të jetë edhe një strategji për këtë”, tha Mustafa.

Ndërsa, Antigona Uka, hulumtuese e raportit tha se kemi më shumë se një dyfishim të borxhit publik dhe një trefishim të borxhit të brendshëm.

“U përmend që Kosova ka nivel të ulët të borxhit publik. Në bazë të dhënave borxhi publik për vitin 2018 është 13% të GDP-së. Kemi më shumë se një dyfishim të borxhit publik dhe një trefishim të borxhit të brendshëm. Këtu kemi të dhënat e borxhit ndërkombëtar sipas sektorëve. Shuma e fondeve të kontraktuara që nga viti 2009 deri në 2018 në sektorin e infrastrukturës rrugore është 37% sektori i infrastrukturës ujore, 19%, sektori hekurudhor 13%, sektori i energjisë 11%, sektori i bujqësisë 6%, sektori publik 5%, sektori i shëndetësisë, arsimit dhe eksportit 2% dhe sektori financiar dhe i ngrohjes qendrore 1%”, u shpreh Uka.

Sipas disa rekomandimeve të nxjerra të këtij raporti, Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë një program masash dhe aktivitetesh për një rol më proaktiv në përgatitjen e projekteve në harmoni me prioritetet e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe eksportit të vendosë rregulla strikte.

Tutje raporti rekomandon se huat publike se mund të përdoren vetëm për projekte që janë përgatitur mirë me studime fizibiliteti dhe kapacitete zbatuese dhe cilat i kalojnë testet e fizibilitetit në aspektin e kthimit të investimeve bazuar edhe në analizat kosto – përfitime sipas metodologjisë standarde ndërkombëtare.

SHARE