Home KRYESORET Kompanitë e transportit kundër vendimit që biletat të blihen vetëm në stacion

Kompanitë e transportit kundër vendimit që biletat të blihen vetëm në stacion

SHARE

Kompanitë e transportit që operojnë në Stacionin e Autobusëve në kryeqytet kanë protestuar sot në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për mënyrën e blerjes së biletave nga udhëtarët.

Drejtoria e Stacionit ka marrë vendim që biletat e udhëtimit tash e tutje të shiten në sportelet brenda stacionit, e jo sikurse deri më tani, edhe gjatë udhëtimit në autobus.

Agjencitë e këtyre autobusëve që kanë linja nëpër Kosovë, kanë kundërshtuar vendimin e tyre që udhëtarët të paguajnë biletat brenda nëpër sportele, raporton Ekonomia Online.

Jakup Berisha, kryetar i sindikatës së transportuesve, ka thënë çdo udhëtarë që vjen të nxjerr biletë në stacion do të paguaj për 0.20 cent më shumë.

“Menaxhmenti po e shfrytëzon monopolin që e ka duke mos ditur kushtet e udhëtarëve. Me këto kushte këta për çdo biletë të shitur këta do të ndalin 0.20 cent më shumë. Tregu është i lirë, çdo kompani e përcakton shitjen e biletave për firmën e tyre. Të gjithë operatorët të paguajnë 10% të shitjes së biletave te stacioni i autobusëve ne këto nuk e kemi pranuar, ai sot e paska mbyllë barrierën duke mos na leju me kaluar, duke u mundu me ia imponuar operatorëve këtë kontratë njëanëshe. Ky stacion është ndërtuar me vetë kontributin e ish punëtorëve të Kosova Transit ku unë kam menaxhuar pesë vjet”, ka thënë Berisha.

Madje Berisha ka pohuar se nuk kanë qenë as të informuar për një kontratë të tillë.

“Ja nuk jemi kanë kurrë të lajmëruar, sot më kanë thirr transportuesit prej Gjilanit kom ardhur, kur erdha kështu veçse është mbyll rampa”, tha ai.

Por këto akuza kryeshefi i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Ylber Çitaku, ka thënë se nuk qëndrojnë.  Sipas tij, të gjithë operatorët e stacionit të autobusëve kanë qenë të informuar madje kanë nënshkruar edhe kontrata.

Çitaku ka thënë se gjithçka për shitjen e biletave është duke ndodhur në bazë procesit të digjitalizimit të biletave.

“Gjithçka është duke ndodhur në bazë projektit për digjitalizimin e biletave, projekt kapital për qytetin për vendin. Projekt i cili vë rend dhe rregull në ndërmarrje. Shitja e biletave nga stacioni ka ndodhur nga orët e para të mëngjesit deri në orën 9:30, por një grup i operatorëve të pakënaqur me këtë sistem që ka filluar. Ata i kanë pa knaqsit e veta, ne deri ditën e shtune i kemi bërë thirrjet që këta operatorë të vijnë dhe t’i bëjmë kontratat. Me më shumë se gjysmën e operatorëve i kemi bërë këto kontrata”, ka thënë Çitaku.

Këta shoferë, sot nuk kanë qarkulluar në asnjë drejtim. Protesta është përcjellë nga forca të shtuar policore, por nuk ka pasur ndonjë incident.

SHARE