Kompani botërore prezantojnë prodhimet e tyre në “Panairin Shtëpiak”

Nga -

Biznese të shumta nga Gjermania, Zvicra, Sllovenia e disa vende tjera të Evropës kanë prezantuar prodhimet e tyre në “Panairin Shtëpiak” i organizuar në Parkun e Biznesit në Drenas për nder të 10 vjetorit të themelimit të kompanisë MSora në Kosovë.

Në këtë panair morën pjesë edhe ministrja në largim e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ministrja Bajrami tha se Kosova ka çka të ofroj për investitorët, por vetëm duhet të punohet për t’i bindur ata që të vijnë në Kosovë.

Ajo ka njoftuar bizneset e pranishme se janë në përfundim të negociatave me BERZh-in për ndërtimin e Parkut të Biznesit 2 në hapësirë prej 62 hektarësh.

Nga ana tjetër, kryetari i Drenasit, Lladrovci i garantoi bizneset se pavarësisht se kush do të jetë në krye të kësaj komune, ata do të vazhdojnë të kenë mbështetjen maksimale për kryerjen e punëve.

Lladrovci tha se bizneset që hyjnë në këtë park mund të shkojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për 3 minuta, pastaj kanë një afërsi të madhe me hekurudhën që kalon nëpër Drenas, si dhe mund të shfrytëzojnë portin e Durrësit dhe atë të Selanikut.

Drejtues të kompanisë “MSora” nga Sllovenia, falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen dhe thanë të jenë të kënaqur me punën që po e bëjnë në Kosovë me kompaninë e tyre.

Sipas tyre në fillim sikur në cdo shtet të ri janë përballur me sfida të ndryshme, por nuk u dorëzuan asnjëherë për realizimin e projektit të tyre.

Ata thanë se vizioni i tyre është i qartë dhe i thjeshtë: “Je eksperti më i mirë për konsumatorët me prodhime tua”.

I njëjti falënderoi të gjithë stafin në Kosovë për punën e palodhshme dhe profesionalizmin e tyre duke bërë që kompania të ketë rritje të vazhdueshme dhe duke arritur që pjesë të bashkëpunimit të tyre t’i ketë mbi 400 klientë.

Panairi Shtëpiak është i pari i këtij lloji i mbajtur në vendin tonë dhe i njëjti pritet të jetë tradicional.