Home Industri & Energjetikë KEDS përmirëson rrjetin elektrik për qindra familje të komunës së Obiliqit

KEDS përmirëson rrjetin elektrik për qindra familje të komunës së Obiliqit

SHARE

Për pensionistin Ramadan Krasniqi, jeta në fshatin e tij tani ka marrë kuptimin e duhur. Ish-dispeçeri në Mihjen Sipërfaqësore në Bardh, ka thënë se tani problemet energjetike nuk ekzistojnë më. Ai punon në kopshtin e tij pa problem dhe përdor pa frikë pajisjet elektrike.

“Rryma ka qenë tepër e dobët dhe prishjet tepër të mëdha. Kemi pasur pengesa për përdorimin e pajisjeve elektrike, shpesh na digjeshin ato. Tani gjithçka është e re. Trafo e re, shtyllat dhe orët e reja digjitale, dhe për ne çdo gjë është në rregull. Me vendosjen e orëve matëse nëpër shtylla, edhe keqpërdorimi i energjisë elektrike nuk ekziston më”, ka thënë Krasniqi.

Pos tij, falë projekteve të realizuara nga KEDS-i, banorët të cilët jetojnë në zonat përreth termocentraleve do të kenë shërbime shumë më kualitative. Këto investime të radhës në rrjetin energjetik i kanë ndjerë banorët e fshatrave Dardhishtë e Sibovc të komunës së Obiliqit.

Me punët që janë bërë këtu, është rritur siguria e konsumatorëve dhe me vendosjen e kabllove bistekë për tension të ulët janë zvogëluar edhe humbjet teknike.

Në fshatin Sibovc janë vendosur dy trafoshtylla me fuqi të transformatorit 100 dhe 160 kVA, që kanë rritur dukshëm tensionin energjetik dhe kanë krijuar stabilitet energjetik. Gjithashtu janë vendosur edhe 67 shtylla të tensionit të ulët, 25 shtylla të tensionit të mesëm, 4930 m rrejt i tensionit të ulët dhe 1232m rrjet të tensionit të mesëm. Numri i familjeve të cilët kanë përfituar nga realizimi i këtij projekti është  60.

Edhe për ata që merren me biznes ky investim ua ka lehtësuar shumë punën. Njëri ndër ta është Amer Mexhuani, i cili ka një stallë lopësh, ku i nxjerr rreth 200 litra qumësht në ditë, dhe thotë se me këtë investim tash rryma është e sigurt.

“Si fryjke era u nalke rryma dhe nuk mujshim me i përdor makinat për mjelje, qe besa edhe tamli na u prishke. Tash çdo mahallë e ka trafon e vet dhe shtyllat krejt të reja e me këtë është përforcu shumë rryma dhe gjithçka po shkon më lehtë” ka thënë Mexhuani.

Pas përfundimit të projektit në fshat janë demontuar edhe shtyllat e vjetra që kanë qenë nëpër prona private dhe janë zhvendosur përreth rrugëve të lagjeve.

Fshati tjetër që shtrihet rrëzë termocentralit “Kosovës A”, është Dardhishta, ku me investimet e KEDS-it gjendja energjetike ka ndryshuar krejtësisht për të mirë.

Gjatë realizimit të punimeve në këtë projekt është bërë implementimi i 77 shtyllave të tensionit të ulët, 37 shtylla të tensionit të mesëm, 9015 m rrjet i tensionit të ulët, 4360 m rrjet i tensionit të mesëm dhe gjithashtu janë vendosur 2 trafoshtylla me fuqi të transformatorit 160 dhe 400 kVA.

Nga realizimi i këtij projekti kanë përfituar 122 familje në fshat.

Shtyllat ishin të vjetra 45 vjet dhe nuk kishte shtëpi që nuk i ishin djegur instalimet elektrike nga prishjet që ndodhnin në rrjet.

Me investimin e ri banorët janë mjaft të kënaqur dhe falënderojnë të gjithë ata që kanë bërë të mundur realizimin e këtij projekti.

”Me investimin që ka bërë KEDS-i jemi shumë të kënaqur dhe tani me vendosjen e trafove të reja, frikën e kemi zero dhe për këtë falënderojmë të gjithë ata që kontribuuan në këtë investim”, ka thënë Avdyl Gërguri, punëtor i KEK-ut.

KEDS do të vazhdojë me investime në mënyrë që rrjeti të jetë me standardet e kërkuara për të gjithë konsumatorët anekënd Kosovës.

SHARE