Bujqësia të jetë çështja më e rëndësishme e politikës

Nga -

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), ka organizuar konferencën e donatorëve në sektorin e bujqësisë, në të cilën përpos ministrit Memli Krasniqi, kanë marrë pjesë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të cilat ndihmojnë bujqësinë në Kosovë.

Aty u theksua se bujqësia duhet të jetë sektori dhe çështja më e rëndësishme e politikës, e cila përveç që ndikon në rritjen e punësimit ndikon edhe në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi tha se kjo konferencë ka për qëllim diskutimin e të arriturave të deritashme dhe sfidat që na presin për zhvillimin e bujqësisë.

“Qeveria e Kosovës vlerëson lartë punën e donatorëve dhe partnerëve. Qëllimi është të prezantojmë të arriturat dhe sfidat në të ardhmen. Gjate kësaj kohe zhvilluam partneritet të mirë dhe jam i bindur qe kjo do te vazhdojë. Qeveria e Kosovës e ka vendosur sektorin e bujqësisë në kuadër të prioriteteve të saj. Sektori i bujqësisë, pylltarisë dhe ai rural është sektor i rëndësishëm dhe merr pjesë rreth 12% të bruto prodhimit vendor”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka paraqitur edhe rezultatet e punës për aq kohë sa është në këtë dikaster.

“Ne investuam shumë në grande duke e rritur këtë nga viti në vit”, ka pohuar Krasniqi.

Për MSA-në Krasniqi tha se e sheh si hap të mirë për të marrë pjesë në tregun evropian. Kurse sa i përket prioriteteve të kësaj ministrie tha se objektiv kryesore është rritja e vendeve të punës, rritja e produktivitetit dhe fuqisë punëtore në mënyrë që të zëvendësohet importi.

Veseli: Politikanët të merren me ngritjen e mirëqenies së qytetarëve

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se ekonomia, në çdo kohë, duhet të jetë në epiqendër të qeverisjes dhe vendimmarrjes politike, sepse në kushtet e paqes e të lirisë, puna më e dobishme që mund të bëjnë politikanët e një vendi është të merren me ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të vet përmes forcimit ekonomik.

Ai ka thënë se politikanët dhe politika në Kosovë po vazhdojnë fokusin më tepër në çështjet e interesit të tyre-luftës për pushtet, sesa interesin e qytetareve për jetë më të mirë, siguri jo vetëm fizike dhe për më tepër duan më shumë vlerësim dhe respekt për ta dhe shtetin e tyre.

“Sot në Kosovë politika është shkëputur nga qytetarët. Fakt i dhimbshëm, por i vërtetë. Është shkëputur nga prodhuesit, nga fermerët e zellshëm, të cilët edhe përkundër rreziqeve të ambientit të pasigurt biznesor, investojnë në tokën e Kosovës. Ata janë heronjtë e vërtetë të ditëve të sotme. Me punën e tyre ata mbajnë gjallë besimin se ky vend ka mundësi dhe do të gjejë rrugën e zhvillimit dhe prosperitetit”, ka thënë Veseli.

Veseli ka theksuar se kjo situatë duhet të ndryshoj urgjentisht dhe pikëpamja e tij është se, në rend të parë, duhet që fokusi kryesor i vendimmarrjes të kthehet tek qytetari për aq sa dhe investimi.

“Zhvillimi ekonomik si platforme e transformimit të vendit dhe roli i njeriut tonë i drejtpërdrejtë në vendimmarrje-përgjegjësi dhe benefit duhet dhe do të jetë primare. Pa zhvillim ekonomik nuk mund të ecim asnjë hap përpara në fushat tjera dhe pa involvimin  të të gjitha resurseve tona humane dhe natyrore në këtë zhvillim suksesi nuk mund të jetë i sigurt”, tha ai.

“Vetëm zhvillimi ekonomik sjell uljen e treguesve negativ sikurse janë varfëria dhe papunësia masive. Vetëm qytetari jonë e ndien këtë me plagën e shkaktuar prej tyre si pasoj dhe vetëm ai mund ta ndërroj këtë gjendje”, theksoi Veseli.

Ai tha se duhet përfundimisht politika të kthehet tek qytetari dhe preokupimet e tija jetësore.

Chlad: Sektori i bujqësisë gjenerues i punësimit 

Përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Libor Chlad ka thënë së janë bërë shumë vite kur kanë identifikuar sektorin e bujqësisë si gjenerues i punësimit dhe të rritjes ekonomike.

“Asistenca jonë është zgjeruar për rritjen e kapaciteteve për të zhvilluar këtë sektor. 8 milionë euro janë dedikuar për sferën e granteve. Ne kemi pasur efekt të përhapjes së asistencës sonë për ngritje të produkteve të Kosovës. Sigurisht se sektori po përballet me shumë sfida”, ka thënë ai.