Home Biznes & Financa Auditori gjen “kuriozitete” në Komuna

Auditori gjen “kuriozitete” në Komuna

SHARE

Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës gjatë auditimit të komunave të Kosovës për vitin 2016 ka gjetur shkelje të ndryshme.

Gazeta Jeta në Kosovë” ka identifikuar dhjetë të gjeturat “interesante”.

Dhënia e lejes së ndërtimit pas dy viteve, punësimi i sociologut për mësimdhënës të matematikes, falja e borxheve që nuk falen me Ligjin për Falje… janë disa prej të gjeturave të identifikuara.

“Bakshish” KEDS-it

Komuna e Shtërpcës nuk e ka kursyer veten për t’i dhënë “bakshish” KEDS-it. E gjetura e Auditorit thotë se Komuna ka paguar më shumë për rrymë se sa borxhi real.

“Komuna e Shtërpcës më datën 13.12.2016 kishte paguar shpenzime të rrymës në vlerë 5,000€, derisa shuma e faturuar për këto shpenzime ishte 1,229€. Pra, ishin paguar 3,771€ më shumë sesa vlera e faturës. Dhe më 13.12.2016 ishin paguar shpenzime të rrymës në vlerë 1,680€ ndërsa fatura për shpenzime të rrymës ishte në vlerë 608€. Pra, ishin paguar 1,072€ më shumë se vlera e faturës”, tregon e gjetura e ZKA-së

Sociologu punësohet mësimdhënës i matematikës

Një tjetër rast interesant që është evidentuar nga Auditori është punësimi i një sociologu si mësimdhënës të lëndës së matematikës. Kjo ka ndodhur në Komunën e Fushë-Kosovës.

“Komuna e Fushë-Kosovës ka angazhuar me vendim dy mësimdhënës për lëndët e Gjuhës Shqipe dhe Matematikë në shkollën fillore e mesme e ulët ‘’Selman Riza‘’, në kohëzgjatje prej tre muajsh. Njëri mësimdhënës me kualifikim bachellor i Sociologjisë është pranuar për lëndë të matematikës. Në anën tjetër, të punësuarve nuk u janë paguar kontributet pensionale dhe tatimi në pagë, siç kërkohet me Ligjin për tatimin në të ardhurat personale nr. 03/L-161”, thuhet në raportin e Auditorit.

Leja e ndërtimit pas dy viteve

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm evidenton se Komuna e Fushë-Kosovës ka dhënë lejen e ndërtimit pas dy viteve, përtej afatit ligjor.

“Me rastin e dhënies së lejes së ndërtimit për një objekt kishte pasur vonesë me pajisjen e lejes më gjatë se 30, respektivisht 45 ditë nga aplikimi sipas Ligjit për ndërtimet 04/L-110. Kërkesa për aplikim ishte më 24.03.2014, ndërkaq leja e ndërtimit është dhënë pas dy viteve, më 20.07.2016”, thotë raporti.

Komuna vigjilente

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se si Komuna e Graçanicës është treguar mjaft vigjilente dhe në krye të detyrës kur i ka bërë vlerësimet e ofertave për një tender. Vigjilente ishte treguar në fazën e parë. Komuna e kishte shpërblyer me kontratë operatorin e ekonomik që kishte sjellë vërtetimin se nuk kishte obligime të pashlyera në Administratën Tatimore, por në fakt Komuna e kishte vërtetuar të kundërten.

“Për projektin ’’Ndërtimi i rrugës Skullaneva-SuhaDoll’’ (270,727€), sipas dosjes së tenderit si kriter është kërkuar nga OE vërtetimi mbi obligimet ndaj ATK-së. OE fitues ka dorëzuar vërtetimin nga ATK se nuk ka borxhe, megjithatë komuna ka verifikuar vlefshmërinë e këtij vërtetimi përmes sistemit të ATK-së dhe është vërtetuar se OE ka pasur borxhe të pashlyera në ATK. Përkundër kësaj, i njëjti operator është shpallur fitues i tenderit”, thotë Auditori.

Nuk dihet si u eliminuan qentë endacakë

Një prej të gjeturave të Auditorit është edhe keqpërdorimi i mundshëm me mjetet e ndara për qenët endacak. Në raport thuhet se nuk dihet për fatin e 250 qenve të zënë në Komunën e Kaçanikut.

“Me rastin e testimit të pagesës prej 4,600€ në emër të eliminimit të qenve endacak, kemi vërejtur se Komuna nuk posedon dëshmi të mjaftueshme për formën e trajtimit të qenve të eliminuar. Ne kemi gjetur listën me numër prej 250 qenve të zënë, por jo edhe procesin nëse këta janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm apo janë eliminuar”, thotë e gjetura e auditorit.

Në vend të teknikëve u punësuan mjekë

Komuna Vushtrrisë planifikoi të punësojë teknikë, por punësoi mjekë.

“Komuna kishte planifikuar me buxhet punësimin e tre (3) teknikëve në shëndetësi, ndërsa për ato pozita kishte punësuar mjekë të përgjithshëm”, thuhet në raport.

Për këtë ‘mashtrim’ kishte intervenuar edhe gardiani i buxhetit.

“Në mungesë të mjeteve MF nuk kishte dhënë pëlqimin që t’i fus në listë të pagave sepse shkaktohej deficit në paga. Këta punëtorë janë futur në listë të pagave vetëm dy (2) muajt e fundit dhe janë paguar në mënyrë retroaktive për tetë (8) muajt e parë. Si pasojë e planifikimit joadekuat, komunës i kishin mbetur obligime 3,657€ për vitin 2017”, thotë raporti i Auditorit për Komunën e Vushtrrisë.

Komuna ia dyfishoi borxhin tatimpaguesit

Auditori në raportin e auditimit për Komunë e Ferizajt gjen se komuna ia dyfishoi borxhin tatimpaguesit por më pas e korrigjoi gabimin.

“Me rastin e testimit të dhjetë (10) mostrave kemi gjetur se në një (1) rast një faturë për tatim në pronë ishte ngarkuar gabimisht në shumë 110,650€. Në kohën e auditimit kjo shumë është rregulluar dhe shuma e saktë e tatimit në pronë për këtë tatimpagues ishte 54,533€”, thotë raporti.

Tenderi iu dha ofertuesit më të shtrenjtë

Tërheqja e ofertuesit më të lirë në një aktivitet të prokurimit në Komunë e Ferizajt bëri që Komuna ta shpërblejë me kontratë ofertuesin më të shtrenjtë mbi 33 mijë euro më shumë.

Me rastin e rishikimit të projektit ‘’Asfaltimi i rrugëve’’ në fshatin Mirasal, Komuna kishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik në shumë 286,333€ si ofertues më i shtrenjtë se operatori më i lirë prej 266,306 euro.

“Shkaku i shpërblimit të ofertuesit më të shtrenjtë ishte se ofertuesi më i lirë kishte tërhequr dosjen e tenderit nga tenderimi pas procesit të hapjes së ofertave. Rast i tillë i shpërblimit të ofertës më të shtrenjtë si rezultat i tërheqjes nga tenderimi pas procesit të hapjes së ofertave ishte edhe tek projekti ’’Asfaltimi i rrugëve’’ në fshatin Gaçkë ku kontrata ishte lidhur në shumë 244,300€ apo 33,518€ më e lartë se oferta më e lirë”, thotë e gjetura.

Falja e borxhit që nuk falet

Në emër të Ligjit për Faljen e Borxheve, Komuna e Hanit të Elezit fal borxhe që nuk falen.

“Drejtori i Urbanizmit kishte marrë një veprim të pavarur lidhur me borxhet e qiramarrësve. Ne kemi gjetur se ishin falur borxhet e qirasë për 14 qiramarrës të pronës komunale në vlerë totale 6,615€, duke u bazuar në ligjin për faljen e borxheve. Ky ligj nuk e parasheh faljen e borxheve për qiratë”, thotë Auditori.

Paratë për qentë endacakë shkuan për ushqim e pije

Paratë për trajtimin e qenve endacakë u shpenzuan për ushqim e pije, dhe pa dëshmi për arsyeshmërinë e këtyre shpenzimeve.

“Komuna e Graçanicës në bazë të një marrëveshje bashkëpunimi ka paguar 1,500€ biznesit individual, i cili merret me strehimin dhe trajtimin e qenve endacak. Në kërkesën e bashkangjitur për pagesë vërehet që shpenzimet janë për punëtorë, ushqim dhe pije, si dhe shpenzimet e veterinës. Komuna nuk ka dëshmi të arsyeshme për llojin e veprimtarisë apo arsyeshmërinë e subvencionimit për biznesin privat. Gjithashtu, nuk ka raport detaj për shpenzimin e mjeteve”.

SHARE