Home KRYESORET Aeroportet më të mirë dhe më të këqinj në botë

Aeroportet më të mirë dhe më të këqinj në botë

SHARE

Një sondazh global mes udhëtarëve ka dalë në konkluzionin se aeroportet më të mira në botë gjenden në Europë. As më pak e as më shumë, por 9 nga 10 vendet e para zihen nga aeroporte europiane, në sondazhin e publikuar së fundi nga agjencia e udhëtimeve “eDreams”.

Megjithatë, vendin e parë nuk e mban asnjëri prej tyre. Në majën e podiumit renditet një aeroport aziatik, “Changi” i Singaporit, kjo pas një vlerësimi të bërë nga mbi 50 mijë reagime udhëtarësh prej vitit të kaluar.

Ai ndiqet më pas nga aeroporti i Zyrihut, ai “Ataturk” i Stambollit, ai i Kopenhagenit dhe i fundit i “Top 5” renditet ai i Mynihut. Pjesën tjetër të dhjetëshes e plotësojnë aeroportet e Dyseldorfit, Frankfurtit, “Barajas” i Madridit, “Fiumicino” i Romës dhe “Heathrow” i Londrës.

Pasagjerëve iu kërkua të listonin karakteristikat që kanë më shumë rëndësi për ta, e për të vlerësuar gjithashtu restorantet, dyqanet e “shopping”-ut dhe zonat e pritjes.

Zyrihu ka aeroportin më të mirë në botë sa u përket zonave të pritjes. Ndërkohë, nga lista e vitit të kaluar, vetëm 3 aeroporte kanë mbetur në këtë klasifikim, ai i Zyrihut, i Mynihut dhe i Frankfurtit. Fituesi i vitit të kaluar, “Vantaa” i Helsinkit, si dhe i dyti i klasifikuar në 2017-n, ai ndërkombëtar i Glasgow në Skoci, dështuan të hynin në dhjetëshen më të mirë të vitit 2018.

Aeroportet gjermane kanë një veçori: Jo vetëm renditen mes më të mirëve, por edhe mes 5 më të këqinjve. “Schoenefeld” dhe “Tegel” të Berlinit janë renditur si i treti dhe i katërti më i keq në botë, respektivisht. Të dy këta, që nuk kanë pasur përmirësime vitet e fundit, priten të zëvendësohen nga aeroporti më i ri “Berlin-Brandenburg”.

Edhe Roma ka një aeroport në pesëshen e më të këqinjve, “Ciampino”. Pjesën tjetër të fundit të renditjes e plotësojnë “Luton”-i i Londrës, i pesti më i keq, si dhe “Mohammed V” i Kazablankës në Marok.

SHARE